Dreri brilopatë—Gjiganti i çuditshëm i pyllit

Deredi brilopate

Deredi brilopate

«Ç’PAMJE groteske dhe ç’trup kaba ka dreri brilopatë! Pse duhet të jetë kaq i lartë te shpatullat? Pse e ka turirin kaq të stërgjatë?» Shkrimtari i shekullit të 19-të dhe autori i këtyre fjalëve, Henri Dejvid Thorou, nuk është i vetmi që e ka përshkruar kështu drerin brilopatë. Kjo krijesë vetmitare ka pamje komike dhe rrallëkush e ka soditur në natyrë, ndaj kanë lindur hamendje se dreri brilopatë është i plogët dhe matuf. A është vërtet kështu? Studiuesit në Amerikën e Veriut dhe në Eurazi kanë zbuluar shumë fakte për këtë kafshë të pazakontë.

Askush nuk e mohon se dreri brilopatë është gjigant. Këmbët e gjata bëjnë që ky «monark i pyllit» të duket si avdall, por me to mund të zmbrapsë një lukuni të tërë ujqish. Pak ditë pasi lind, dreri mëson të notojë, dhe është parë që disa notojnë për kilometra të tërë e zhyten në thellësi thuajse 6 metra, që të ushqehen me bimë uji.

Dreri brilopatë mund t’i lëvizë sytë dhe të diktojë, pa e kthyer kokën, lëvizjet që ndodhin thuajse tamam prapa tij. Nuhatja është një tjetër pikë e fortë. Shkencëtarët mendojnë se aftësia e rrallë e drerit brilopatë që të përcaktojë vendndodhjen e objekteve në shkallë tridimensionale, mund të vijë ngaqë i ka vrimat e hundës larg njëra-tjetrës. Dëgjimi e bën akoma më të pasur paketën e shqisave të drerit. Ai mund t’i rrotullojë veshët në të gjitha drejtimet dhe mund të kapë tinguj të drerëve të tjerë që ndodhen edhe 3 kilometra tutje.

i vogli i drerit brilopate

i vogli i drerit brilopate

I vogli i drerit brilopatë, që një shkrimtar e përshkruan si «të lezetshëm dhe qesharak», zakonisht është kureshtar e i shkujdesur. Nëna drenushë e mbron duke u kujdesur për të me butësi e besnikëri. Ajo s’ia përton të sulmojë këdo që i vë syrin të voglit, qoftë ujk, ari ose edhe njeri. Kur dreri i vogël bëhet gati një vjeç dhe e ëma është sërish shtatzënë, ajo e dëbon me vendosmëri, që motaku të fillojë t’i dalë zot vetes.

MBIJETESA NË VERI

Përderisa nuk fut në gojë gjë tjetër veç bimëve, si u mbijeton dimrave të ftohtë dreri brilopatë? Pjesërisht ngaqë dendet mirë në mot të ngrohtë. Ai përlan deri në 23 kilogramë jeshillëqe në ditë, që rriten qoftë 3 metra mbi tokë, qoftë nën ujë. Dreri brilopatë e shfrytëzon mirë këtë ushqim duke e tretur në stomakun me katër dhoma, e kështu nxjerr lëndët ushqyese të nevojshme dhe vë dhjamë. Mirëpo, në dimër ai has edhe rreziqe të tjera.

I ftohti i hidhur dhe shtresa e trashë e borës i vënë në provë rezistencën. Drerit brilopatë i pëlqen të bëjë jetë të qetë në dimër, e kështu kursen lëvizjet dhe ruan ngrohtësinë e trupit nën gëzofin e tij aq të përshtatshëm. Është tepër e vështirë t’u shpëtojë ujqërve në dëborë, por shpesh, një rrezik akoma më i madh për drerin është njeriu, sidomos gjahtarët dhe shoferët.

Drerit brilopatë i shijon shumë kripa që hidhet rrugëve në viset veriore për të shkrirë borën. Por, ngaqë ka gëzof të errët dhe e ka zakon ta kalojë rrugën pas perëndimit, shoferët mezi e pikasin në kohë që të mos përplasen. Kjo u ka kushtuar jetën edhe njerëzve, edhe drerëve.

KAFSHË LOJCAKE

Drerin brilopatë e kanë parë duke lodruar me dallgët e oqeanit, duke i sulmuar dhe duke u larë gjithë ëndje në burimet termale. Gjatë çiftimit, s’ka si të mos vëresh përzemërsinë mes drerëve e drenushave, dhe besnikëria e nënës ndaj të voglit të mallëngjen. Ka ndodhur që drerë të vegjël të rritur nga njerëzit janë lidhur me kujdestarët si me nënën e tyre. Dr. Valerius Gaisti vëren: «Kjo kafshë e çuditshme me fytyrë aspak të hijshme mund të jetë e zgjuar, e dashur dhe ca si tepër besnike.»


Kujdes ama: dreri brilopatë është një kafshë pylli shumë e fortë dhe e bëshme. Po të rastisi ta shohësh në natyrë, trego respekt dhe lëri boll hapësirë. Është e domosdoshme të mbash distancën sidomos nëse rreth e rrotull ka drerë të vegjël. Megjithatë, për një gjë s’ka dyshim: edhe nga një distancë e sigurt, do të mrekullohesh teksa kundron këtë gjigant të çuditshëm të pyllit.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

AlphaOmega Captcha Classica  –  Enter Security Code
     
 

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.